Objekti |
Ky dokument përmban kushtet dhe afatet kryesore të qëndrimit (në vijim “Kushtet”) pranë Palace Hotel & Spa, Durrës (në vijim “Hoteli”). |
Këto Kushte vihen në dispozicion në website të Hotelit, në çdo dhomë dhe në momentin e regjistrimit (check-in). Këto Kushte, me përjashtim të paragrafëve 12 deri 16 mbi rezervimet, të cilët janë menjëherë të detyrueshëm, bëhen të detyrueshme dhe të zbatueshme në momentin e regjistrimit të vizitorëve. |
Përveç sa mund të parashikohet shprehimisht në vijim, ky dokument nuk përmban kushtet e ofrimit të shërbimeve, të ndryshme nga akomodimi, që mund të jepen gjatë qëndrimit në Hotel. |
Këto Kushte zbatohen ndaj personit që ka bërë një rezervim pranë Hotelit, si dhe ndaj çdo personi tjetër që e shoqëron atë gjatë qëndrimit (në vijim së bashku “Vizitorët”). Vizitori në emër të të cilit është bërë rezervimi përgjigjet për respektimin e këtyre Kushteve, edhe nga Vizitorët e tjerë që e shoqërojnë atë. |
Nëse rezervimi është bërë nga një person i tretë në emër të Vizitorit, deri në momentin e regjistrimit të Vizitorit në datën dhe orën e rezervuar, sipas paragrafit 17, personi i tretë mbetet përgjegjës ndaj Hotelit për detyrimet e paragrafëve 12 deri 16. |
|
Çmimet dhe Pagesat |
Vizitorët detyrohen të paguajnë çmimin e zbatueshëm apo të rënë dakord për akomodimin e rezervuar. Ky detyrim zbatohet gjithashtu për çmimin e shërbimeve që mund të jepen, apo për shpenzimet e tjera që Hoteli ka bërë me kërkesë të Vizitorëve. |
Vizitorët nuk kanë të drejtë të ruajnë të njëjtin çmim të zbatueshëm apo të rënë dakord për akomodimin e rezervuar, nëse në vijim Vizitorët dëshirojnë të ndryshojnë numrin, kategorinë e dhomave, dhe/ose periudhën dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre në Hotel. |
Çmimi i shërbimeve të tjera që mund të jepen nga Hoteli, është çmimi në fuqi në datën e marrjes së shërbimit. |
Faturat e Hotelit për akomodimin dhe/ose shërbimet e tjera dhe shpenzimet që janë bërë me kërkesë të Vizitorëve, janë të pagueshme menjëherë, pa asnjë zbritje, në momentin e dorëzimit. |
Menaxheri i Hotelit mund të lejojë, me diskrecionin e tij të vetëm, vonesë në pagesën e faturave, deri në momentin e largimit (check-out) të Vizitorëve, në datën dhe orën e rezervuar, sipas paragrafit 20. |
Ne rast mospagese të një a më shumë faturave, Hoteli ka të drejtë të mbajë garancinë e dhënë sipas paragrafit 12, deri në shumën e detyrimit, dhe nëse mbeten shuma të pashlyera, të zbatojë mbi to një kamatëvonesë prej 10% në bazë vjetore, për çdo ditë vonesë. Hoteli rezervon të drejtën për të provuar dëmin e mëtejshëm. |
|
Rezervimet |
Në momentin e rezervimit dhe/ose të regjistrimit (check-in) të Vizitorëve, Hoteli ka të drejtë të kërkojë një paradhënie apo garanci të arsyeshme për përmbushjen e detyrimeve të Vizitorëve gjatë qëndrimit në Hotel. |
Me përjashtim të rezervimit me parapagim, Hoteli i jep të drejtën Vizitorëve të anulojnë rezervimin e tyre në çdo kohë. Në këto raste, Hotelit i lind e drejta për një shpërblim të drejtë, sipas kushteve të anulimit që janë ofruar në momentin e rezervimit. I njëjti rregull zbatohet edhe në rastin e mosparaqitjes së Vizitorëve për regjistrim (check-in) në datën dhe orën e rezervuar, sipas paragrafit 17. Për këtë qëllim, Hoteli mund të përdorë shumën përkatëse të garancisë së dhënë në momentin e rezervimit. |
Hoteli ka të drejtë të anulojë një rezervim të konfirmuar, pa patur detyrime ndaj Vizitorëve, kur qëllimisht jepen të dhëna rezervimi të pasakta, apo garancia e dhënë është e pa-arkëtueshme, apo Vizitorët janë në paaftësi paguese, dhe në rastin e mosparaqitjes së Vizitorëve për regjistrim (check-in) në datën dhe orën e rezervuarat, sipas paragrafit 18. |
Hoteli gjithashtu ka të drejtë të anulojë një rezervim të konfirmuar, pa patur detyrime ndaj Vizitorëve, në rastin e shkeljes se paragrafëve 21 dhe 22. |
Hoteli ka të drejtë të anulojë një rezervim të konfirmuar, edhe në rastet e forcës madhore, apo në rrethana të tjera, që nuk varen nga Hoteli, të cilat e bëjnë të pamundur ofrimin e akomodimit ne kushtet dhe standardet e ofruara. Në këto raste Hoteli di t’i rimbursojë Vizitorëve paradhëniet apo garancitë e dhëna, pa patur detyrime të tjera. |
|
Regjistrimi, Qëndrimi dhe Largimi |
Nëse nuk përcaktohet ndryshe në konfirmimin e rezervimit, dhoma e rezervuar do të jetë në dispozicion të Vizitorëve, duke nisur nga ora 15.00 e datës së mbërritjes. |
Nëse nuk përcaktohet ndryshe në konfirmimin e rezervimit, dhoma e rezervuar do të jetë në dispozicion të Vizitorëve, deri jo më vonë se ora 18.00 e datës së mbërritjes. Nëse Vizitorët nuk paraqiten brenda kësaj ore, rezervimi mund të anulohet sipas paragrafit 14. |
Vizitorët nuk kanë të drejtë të kërkojnë akomodim në një dhomë specifike, përveçse kur Hoteli garanton me shkrim akomodimin në atë dhomë specifike. |
Nëse nuk përcaktohet ndryshe në konfirmimin e rezervimit, dhoma e rezervuar do të lirohet nga Vizitorët dhe do të vihet në dispozicion të plotë të Hotelit, jo më vonë se ora 11.00 e datës së largimit. |
Vizitorët e kanë të ndaluar të vënë në dispozicion akomodimin pranë Hotelit, në çdo mënyrë apo më çdo titull, palëve të treta, pa miratimin paraprak me shkrim nga menaxheri i Hotelit. Menaxheri i Hotelit rezervon të drejtën e refuzimit të akomodimit, në çdo kohë dhe për çdo person të tretë që nuk është Vizitor. |
Gjatë qëndrimit në Hotel, Vizitorët duhet të zbatojnë ligjin, rregullat e Hotelit, rregullat e sigurisë, të moralit, të rendit publik. Vizitorët e kanë të ndaluar të sjellin apo mbajnë në Hotel sende të rrezikshme apo të jashtëligjshme. |
Menaxheri i Hotelit rezervon gjithashtu të drejtën e refuzimit të akomodimit të mëtejshëm ndaj Vizitorëve që nuk pranojnë këto Kushte apo shkelin parashikimet e paragrafit 21 dhe 22, duke mbajtur shumën përkatëse të garancisë së dhënë në momentin e rezervimit. |
Përveçse kur një largim i vonuar lejohet nga Hoteli, nëse dhoma nuk lirohet deri në orën 11.00 të datës së largimit, Hoteli ka të drejtë t’i zbatojë Vizitorëve, pa kufizuar të drejtën për dëme të mëtejshme, çmimin e plotë të fjetjes në atë dhomë, edhe për datën e largimit. |
|
Përgjegjësia e Hotelit |
Hoteli nuk përgjigjet për dëme në personin apo në pronën e Vizitorëve gjatë qëndrimit në Hotel, përveçse, dhe deri në masën që dëmi provohet nga gjykata kompetente se vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e fajit të Hotelit dhe/ose të stafit të tij. |
Nëse Vizitorit – qoftë edhe me pagesë – i vihet në dispozicion një vend parkimi për automjetin pranë Hotelit, kjo nuk përbën një marrëdhënie depozite në hotel, dhe Hoteli nuk ka përgjegjësi ruajtje për automjetin apo për sendet e lëna në të. |
Hoteli rekomandon që paratë apo sendet e dokumenteve me vlerë të depozitohen pranë recepsionit. Hoteli nuk është përgjegjës për humbjen e parave apo sendeve a dokumenteve me vlerë, nëse Vizitorët nuk ja dorëzojnë ato Hotelit në depozitë pranë recepsionit. Hoteli mund të mos pranojë të marrë në depozitë sende të rrezikshme ose që, duke marrë parasysh rëndësinë dhe kushtet e administrimit të hotelit, kanë vlerë të rëndësishme ose përmasa shumë të mëdha. Hoteli mund të kërkojë që sendi i dorëzuar të jetë i vendosur në një mbështjellje të mbyllur ose të vulosur. |
Përgjegjësia e Hotelit shuhet nëse Vizitori nuk njofton menjëherë ndodhjen e një dëmi. |
|
Parashikime të Fundit |
Ndryshimet apo amendimet e këtyre kushteve do të bëhen me shkrim nga Hoteli vihen në dispozicion sipas parashikimeve të paragrafit 2 më sipër. Ndryshime të njëanshme të këtyre Kushteve nga ana e Vizitorëve janë të pavlefshme. |
Këto Kushte rregullohen nga Ligji Shqiptar. Çdo padi ndaj Hotelit do të ngrihet eksluzivisht në gjykatën kompetente të rrethit gjyqësor Durrës, Shqipëri. Hoteli mund të ngrejë padi, gjithashtu, në çdo gjykatë që ka juridiksion mbi Vizitorët. |
Nëse ndonjë dispozitë e Kushteve konstatohet apo deklarohet nga gjykata si e pavlefshme, atëherë dispozita do të zëvendësohet me një tjetër të vlefshme, e cila përmban, për sa është e mundur, qëllimin origjinal të dispozitës në fjalë, dhe nuk do të ndikojë në zbatueshmërinë e dispozitave të tjera. |